Prishtinë, 02 qershor 2026 – U.d. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), z. Alban Sutaj, së bashku me bashkëpunëtorë, priti në takim përfaqësuesit e agjencisë franceze për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim “Expertise France”: znj. Pauline Girerd, znj. Armelle Giraud, z. Didier Fanack dhe z. Cyril Lacombe.
Gjatë takimit, z. Sutaj prezantoi rolin dhe përgjegjësitë e AAPSK-së, si dhe rezultatet dhe të arriturat në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Ai theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe menaxhimit të të dhënave në administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe standardeve operative të AAPSK-së, si dhe ripërdorimin social dhe transparent të pasurisë së konfiskuar si instrument në luftën kundër korrupsionit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e “Expertise France” shprehën interesimin për të vazhduar mbështetjen ndaj prioriteteve të ardhshme në kuadër të programit IPA 2026–2027, me fokus në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, si dhe avancimin e proceseve të digjitalizimit dhe të sistemit të drejtësisë.
