Takim ndërmjet AAPSK-së dhe GIZ-it gjerman

Prishtinë, 17 mars 2026 – U.d. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj me bashkëpunëtorë priti në takim përfaqësueset e GIZ-it gjerman, znj. Bleta Kallaba dhe znj. Dorina Kurhasani.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve, si dhe format konkrete të mbështetjes për AAPSK-në. Në fokus të diskutimeve ishin veçanërisht mundësitë e mbështetjes nga GIZ në procesin e promovimit dhe sensibilizimit të opinionit publik lidhur me rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e AAPSK-së.

Ky bashkëpunim synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e objektivave strategjike të Agjencisë.

AAPSK miraton Planin Strategjik për periudhën 2026–2028

U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), z. Alban Sutaj, ka miratuar Planin Strategjik për periudhën 2026–2028, dokument i cili synon fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e proceseve të administrimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar në Republikën e Kosovës.

Ky dokument strategjik paraqet drejtimet kryesore të zhvillimit të Agjencisë për tre vitet e ardhshme dhe synon përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe profesionalizmit në administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Plani Strategjik është hartuar në konsultim me stafin drejtues të Agjencisë dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përkatësisht të projektit të mbështetur nga GIZ-i gjerman.

Me këtë rast, z. Sutaj shpreh mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht për kontributin e GIZ-it, ekspertes së angazhuar në kuadër të këtij projekti, si dhe të grupit punues që kanë kontribuar në hartimin e këtij dokumenti strategjik.

AAPSK e Kosovës dhe AAPSK e Shqipërisë nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim institucional

Prishtinë, 11 shkurt 2026- Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) e Republikës së Kosovës dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Memorandumi është nënshkruar gjatë takimit zyrtare të mbajtura në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë – AAPSK në Prishtinë, të udhëhequr nga u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së së Kosovës, z. Alban Sutaj, i cili priti Kryeadministratoren e AAPSK-së së Shqipërisë, znj. Risena Xhaja, me delegacionin përkatës.

Gjatë takimeve u diskutua korniza ligjore për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, praktikat aktuale të administrimit, sfidat institucionale, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit teknik dhe profesional ndërmjet dy agjencive.

Me këtë rast, u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së së Kosovës, z. Alban Sutaj, theksoi: “Nënshkrimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe harmonizimit të praktikave në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale.”

AAPSK e Kosovës vlerëson këtë Memorandum si një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim afatgjatë dhe zhvillim të mëtejmë të kapaciteteve profesionale në funksion të sundimit të ligjit.

AAPSK vizitë pune në AGRASC të Francës

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërkombëtar, u.d Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj, së bashku me stafin e Agjencisë:z. Enver Krasniqi

Drejtor i Departamentit per trajtimin e pasurise se sekuestruar dhe te konfiskuar; Violeta Ejupi- Hasani, Udheheqese e Divizionit per trajtimin juridik te pasurive te sekuestruara dhe te konfiskuara si dhe Znj. Goce Ismajli-Gjyshinca, Udhëheqëse e Divizionit për Pranimin dhe Vlerësimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, realizoi një vizitë pune në Paris, me ftesë të Drejtoreshes së Përgjithshme të Agjencisë për Menaxhimin dhe Rimëkëmbjen e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AGRASC), me mbështetjen e GIZ-it.

Gjatë kësaj vizite u zhvillua takim me znj. Sylvie Marchelli, Drejtoreshë e Përgjithshme e AGRASC, dhe bashkëpunëtorët e saj. Në fokus të takimeve ishin çështjet që lidhen me administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, me theks të veçantë në bazën ligjore dhe menaxhimin e aseteve komplekse, përfshirë kriptovalutat; ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara nga krimi; fondin e konfiskimit; sfidat dhe praktikat më të mira në administrimin e aseteve kriminale, si dhe format e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet AGRASC dhe AAPSK.

Në kuadër të vizitës, delegacioni i Agjencisë vizitoi gjithashtu Ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris, ku u prit nga Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Mehdi Halimi, së bashku me stafin e ambasadës.

AAPSK merr mbështetje nga GIZ-i gjerman për hartimin e Planit Zhvillimor Strategjik 2026–2028

Prishtinë, 29 janar 2026 – Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), z. Alban Sutaj, zhvilloi një takim online me znj. Jill Thomas, eksperte e angazhuar nga GIZ-i gjerman për mbështetjen e procesit të hartimit të Planit Zhvillimor Strategjik të AAPSK-së.

Në takim morën pjesë edhe znj. Monika Nastovska, këshilltare nga projekti “Luftimi i Flukseve Financiare të Paligjshme”, si dhe znj. Dorina Kurhasani dhe znj. Bleta Kallaba, po ashtu përfaqësuese të GIZ-it. Gjatë takimit u diskutuan modalitetet dhe hapat konkretë për zhvillimin e Planit Zhvillimor Strategjik të AAPSK-së për periudhën 2026–2028.

Z. Sutaj prezantoi detyrat dhe përgjegjësitë e AAPSK-së, si dhe vizionin strategjik të Agjencisë, me fokus në administrimin sa më efikas, transparent dhe të qëndrueshëm të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Ai falënderoi GIZ-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj AAPSK-së, duke theksuar rëndësinë e kësaj bashkëpunimi për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e objektivave strategjike të Agjencisë.

U.D. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-se z. Sutaj merr pjesë në takimin vlerësues mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) mori pjesë në takimin me misionin vlerësues mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili u mbajt në ambientet e Zyrës së Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, AAPSK u përfaqësua nga z. Alban Sutaj, u.d, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë. Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë ZRA, LPN, MGB, MG, EUO/EUSR dhe ENEST.

Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i zhvillimeve të dy viteve të fundit në fushën e rikthimit, sekuestrimit, konfiskimit dhe administrimit të pasurive, në kuadër të ndjekjes së rekomandimeve të dala nga raporti i vlerësimit (peer review) i vitit 2022.

Gjatë takimit, z. Sutaj prezantoi progresin e arritur nga AAPSK-ja në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e kornizës ligjore dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të rritjes së efikasitetit në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

AAPSK mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe në forcimin e sundimit të ligjit përmes administrimit transparent dhe efikas të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Takim ndërmjeti AAPSK-së dhe GIZ-it gjerman

Prishtinë, 14 janar 2026 – u.d. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë z. Alban Sutaj zhvilloi një takim online me përfaqësueset e GIZ-it gjerman, znj. Bleta Kallaba dhe znj. Dorina Kurhasani. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve, si dhe format e mbështetjes për AAPSK-në.

Në fokus të diskutimeve ishin mundësitë e mbështetjes së GIZ-it në procesin e hartimit dhe zhvillimit të Planit Zhvillimor të AAPSK-së, me qëllim të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe avancimit të objektivave strategjike të Agjencisë.

Vizitë studimore e nje grupi të studentëve në AAPSK

Prishtinë, 24 Dhjetor 2025 – Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK) priti në takim studentët e Kolegjit, të shoqëruar nga Prof. Dr. Nuhi Osmani.

Gjatë këtij takimi, studentët u informuan nga afër nga u.d Drejtori i Pergjithshem i Agjencise z. Alban Sutaj, lidhur me rolin, kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë e AAPSK-së, si dhe për procedurat e administrimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar në Republikën e Kosovës. Vizita kishte për qëllim thellimin e njohurive praktike të studentëve dhe lidhjen e teorisë me praktikën institucionale, veçanërisht në fushën e së Drejtës Penale dhe Kriminalistikës.

z. Sutaj theksoj rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe përgatitjen profesionale të studentëve, duke i inkurajuar ata që të tregojnë interes dhe angazhim në fushat përkatëse të studimit.

Vizita u zhvillua në një frymë bashkëpunimi dhe interesi të ndërsjellë, duke kontribuar në rritjen e njohurive praktike dhe profesionale të studentëve.

Shënjestrohet rasti “Qielli i thyer”, arrin në rreth 80 milionë euro vlera e pasurisë së sekuestruar

Prishtinë, 22 Dhjetor 2025 – Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i radhës me Ekipin e Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve të Rënda.

Gjatë këtij takimi është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer”.

Në këtë takim mori pjesë edhe z. Alban Sutaj, u.d Drejtor i Përgjithshëm i AAPSK-së, i cili theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe veprave të tjera penale.

Lexoni më shumë rreth takimit: 

https://ps.prokuroria-rks.org/artikulli/8087

AAPSK merr pjesë në takimin rajonal në Budva

Budva, 10–11 dhjetor 2025 — U.d. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), z. Alban Sutaj, së bashku me bashkëpunëtorë nga Zyra për Rikthim të Aseteve, mori pjesë në takimin rajonal të zhvilluar në Budva, i cili kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sekuestrimit, konfiskimit, rikthimit dhe administrimit të pasurive.

Takimi mblodhi përfaqësues nga institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim shkëmbimin e përvojave, përmirësimin e praktikave dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar.

Pjesëmarrja e AAPSK-së në këtë takim paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të sistemit të menaxhimit dhe rikuperimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar në Republikën e Kosovës, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit dhe bashkëpunimit rajonal në këtë fushë.