Gjakovë, 04 dhjetor 2025 – Gjykata Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka mbajtur sot tryezën rajonale për regjionin e Gjakovës dhe Pejës, me temën “Konfiskimi i aseteve – nga sekuestrimi i përkohshëm deri te vendimi gjyqësor i formës së prerë”.
Tryeza u udhëhoq nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Gjakovë, Fëllanza Knushaj, ndërsa panelistët përfshinin: gjyqtar në Gjykatën Themelore të Pejës; prokuror në Prokurorinë Themelore të Pejës; Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.
Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), të Policisë së Kosovës nga Gjakova dhe Peja, si dhe përfaqësues nga Oda e Avokatëve në Gjakovë.
Diskutimet u fokusuan në forcimin e mekanizmave institucionalë për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme. U theksua se trajtimi i këtyre rasteve kërkon qasje të koordinuar, reagim të shpejtë si dhe zgjidhje afatgjata për rritjen e efektivitetit të sistemit të drejtësisë.
U.d. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së, z. Alban Sutaj, i cili mori pjesë në punëtori së bashku me bashkëpunëtorë të tij, foli për rolin dhe përgjegjësitë e Agjencisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional. Ai nënvizoi veçanërisht edhe rëndësinë e shitjes së pasurisë së sekuestruar, me qëllim të ruajtjes së vlerës së saj deri në përfundim të procedurave gjyqësore.
Ky aktivitet ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, unifikimin e praktikave profesionale dhe forcimin e mekanizmave për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, në mënyrë që sistemi i drejtësisë të jetë sa më efektiv dhe i qëndrueshëm në luftimin e pasurimit të paligjshëm.
