AAPSK miraton Procedurat Standarde të Veprimit (PSV)

Prishtinë, 24 tetor 2025

Në kuadër të procesit të ristrukturimit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) si dhe në zbatim të Planit të Performancës për vitin 2025, janë hartuar dhe miratuar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV) të Agjencisë.

Procedurat e miratuara përfshijnë këto fusha kryesore të veprimtarisë së AAPSK-së:

  • PSV për Pranimin, Regjistrimin dhe Vlerësimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar;
  • PSV për Mirëmbajtjen dhe Ruajtjen e Vlerës së Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar;
  • PSV për Shitjen, Dhënien me Qira dhe Dhënien në Shfrytëzim të Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar;
  • PSV për Asgjësimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar;
  • PSV për Trajtimin Juridik të Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar;
  • PSV për Administrimin e të hyrave nga pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara si dhe Statistikën përkatëse.

Këto procedura do të shërbejnë si udhëzues praktik për rregullimin dhe unifikimin e veprimeve procedurale brenda Agjencisë, duke rritur efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien institucionale.

Realizimi i këtyre PSV-ve është mundësuar falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së GIZ – Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për çka U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë z. Alban Sutaj shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e tij të veçantë.

Takim me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra

U.d. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj, zhvilloi sot një takim pune me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra, në të cilin ishte i pranishëm edhe Drejtori i Departamentit Për Trajtimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, z. Enver Krasniqi.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në vendimet gjyqësore që lidhen me shitjen e pasurive në fazën e sekuestrimit.

U theksua rëndësia e ruajtjes së vlerës së pasurive deri në përfundimin e proceseve gjyqësore, në mënyrë që ato të administrohen në mënyrë sa më efikase dhe në interes të drejtësisë.

Z. Sutaj vlerësoi bashkëpunimin dhe angazhimin e znj. Emra, duke theksuar se përmes këtyre takimeve po ndërtohet një qasje më efikase, transparente dhe të koordinuar në administrimin e pasurive të sekuestruara.

Prizren, 22 tetor 2025

U. D Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së në takimin rajonal për hetimet e aseteve digjitale në Shkup

U. D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar z. Alban Sutaj mori pjesë në takimin rajonal të projektit Western Balkans Digital Assets Investigation Capability (WB DAIC), mbajtur në Shkup.

Takimi, i organizuar nga ERSOU dhe NCA e Mbretërisë së Bashkuar, bashkoi përfaqësues nga institucionet kryesore të rajonit për të ndarë përvoja mbi hetimet e krimeve financiare dhe menaxhimin e aseteve digjitale (kripto).

AAPSK theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të kapaciteteve për gjurmimin, sekuestrimin dhe administrimin e pasurisë digjitale që rrjedh nga veprimtari kriminale.

Ministri i Drejtësisë vizitoi Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar

U. D Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka vizituar Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), ku u prit nga u.d. Drejtori i Përgjithshëm, Alban Sutaj, me bashkepuntor te këtij institucioni.

Gjatë vizitës, Ministri Sallahu u njoftua nga afër me planet, objektivat dhe sfidat e Agjencisë në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe me arritjet e deritanishme.

Ai nënvizoi rëndësinë e ripërdorimit social dhe institucional të pasurive të konfiskuara, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që këto pasuri të shndërrohen në mundësi për zhvillim social e institucional, duke i shërbyer komunitetit dhe shtresave më të cenueshme të shoqërisë.

U.D Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj, pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të Procesit të Berlinit mbi Luftimin e Financave të Paligjshme

U.D Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të Procesit të Berlinit mbi luftimin e financave te paligjshme, e cila u zhvillua në Podgoricë dhe u organizua nga Mbretëria e Bashkuar.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, ku u diskutua mbi tri fusha kyçe:

            •           rikthimi i aseteve,

            •           transparenca në pronësinë përfituese,

            •           ulja e informalitetit.

U diskutua mbi rëndësinë e konfiskimit të pasurisë së paligjshme si mënyra më e drejtpërdrejtë për të treguar se krimi nuk shpërblehet. Po ashtu u vu në dukje se rikthimi i pasurive kontribuon jo vetëm në dekurajimin e aktiviteteve kriminale, por edhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian.

Agjencia vlerëson mbështetjen dhe bashkëpunimin e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht të Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Ambasadës Britanike në Podgoricë, në organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Kjo pjesëmarrje përfaqëson një hap tjetër përpara drejt ndërtimit të një Ballkani Perëndimor më të drejtë, më transparent dhe më rezistent ndaj financave të paligjshme.

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruara dhe të Konfiskuara pjesmarrëse në Workshopin Rajonal të BAMIN@GIZ

Përfaqësues të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruara dhe të Konfiskuara morën pjesë në punëtorinë dyditore rajonale “Forcimi i praktikave të menaxhimit të pronave në Ballkanin Perëndimor: Planifikimi për menaxhimin efektiv të pasurive – konsiderata para sekuestrimit”, e organizuar në kuadër të projektit të BE-së EU4FAST, në bashkëpunim me Rrjetin Ndër-Agjencor Ballkanik për Menaxhimin e Pasurive (BAMIN).

Punëtoria mblodhi përfaqësues nga zyrat e menaxhimit të pasurive, prokuroritë, agjencitë hetimore dhe autoritetet e sekuestrimit nga i gjithë rajoni, me qëllim avancimin e praktikave të planifikimit para sekuestrimit – një fazë thelbësore për sekuestrimin e suksesshëm dhe menaxhimin efektiv të pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara. Pjesëmarrësit shqyrtuan sfidat në këtë fushë dhe mundësitë e përafrimit me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë direktivat e BE-së dhe rekomandimet e FATF-së.

Diskutimet u fokusuan në: identifikimin e sfidave në planifikimin para sekuestrimit; zhvillimin e strategjive kombëtare dhe rajonale, si dhe hapat e ardhshëm praktikë për organet ligjzbatuese.

Rezultatet e pritshme përfshijnë rritjen e qartësisë mbi rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve, hartimin e protokolleve ndër-agjenci, si dhe rekomandime për reforma ligjore, rregullatore dhe procedurale.

U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj, mbajti një prezantim me temën “Sfidat në rastin e planifikimit para sekuestrimit”, duke theksuar rëndësinë e qasjes së hershme dhe strategjike për të shmangur pengesat në procesin e planifikimit dhe menaxhimit të mëvonshëm të pasurive. Ai nënvizoi se mungesa e planifikimit adekuat mund të sjellë vështirësi serioze në administrimin e pasurive dhe të reduktojë efektivitetin në luftën kundër krimit të organizuar.

Pjesëmarrja e AAPSK-së në këtë aktivitet dëshmon vendosmërinë për të forcuar kapacitetet në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe kontributin në përpjekjet e përbashkëta rajonale për ndërtimin e një sistemi më efikas dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të pasurive.

Agjencia merr pjesë në punëtorinë për hartimin e Koncept Dokumentit për rikthimin e pasurisë

Me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Ministria e Drejtësisë ka organizuar punëtorinë e parë të Grupit Punues për hartimin e Koncept Dokumentit për fushën e rikthimit të pasurisë.

Në hapje të punëtorisë, fjalë rasti mbajti U.D. Ministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, i cili theksoi se ky proces është pjesë e reformave gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe dëshmi e vendosmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës për forcimin e mekanizmave kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit vendor me direktivat e Bashkimit Evropian, duke theksuar se rikthimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme mbetet një ndër shtyllat kryesore të luftës kundër krimit.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, i cili theksoi rolin e sistemit prokurorial në këtë proces dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për zbatim sa më efikas të ligjit.

Ky proces pritet të fuqizojë kapacitetet e institucioneve përgjegjëse përmes qartësimit të mandatit dhe zgjerimit të kompetencave të Zyrës për Rikthimin e Aseteve, si dhe përmes përforcimit të bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar në këtë fushë.

Në këtë punëtori mori pjesë edhe u.d Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj.

Në punëtorinë dy ditore kishte diskutime të detajuara mes përfaqësuesve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, me qëllim të finalizimit të një dokumenti gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

Agjencia dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë thellojnë bashkëpunimin

Mitrovicë, 10 shtator 2025 – U.D.  Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, z. Alban Sutaj, zhvilloi sot një takim pune me z. Bekim Veliqi, ushtrues detyre i Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në vendimet gjyqësore që lidhen me shitjen e pasurive gjatë fazës së sekuestrimit.

Palët ndanë qëndrimin e përbashkët se ruajtja e vlerës së pasurive deri në përfundim të proceseve gjyqësore është thelbësore për të garantuar administrimin e duhur, transparencën dhe drejtësinë në procesin e konfiskimit.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së koordinimit institucional, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.

Agjencia dhe Policia e Kosovës koordinohen për administrimin e pasurive të sekuestruara në Mitrovicën Veriore

Mitrovicë, 10 shtator 2025 – u.d Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-se, z. Alban Sutaj, sot ka zhvilluar një takim pune me zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Rajonale Mitrovice-Veri te Policisë se Kosoves, Nënkolonel z. Veton Elashani .

Gjatë takimit u diskutua mbi çështjen e administrimit dhe ruajtjes së pasurive të sekuestruara në Mitrovicën Veriore, me fokus në garantimin e sigurisë dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.

Duke marrë parasysh rrethanat aktuale të sigurisë në lokacionin ku ndodhen këto pasuri të paluajtshme, u konfirmua se sigurimi dhe ruajtja fizike e tyre do të vazhdojë të bëhet nga Policia e Kosovës, deri në një vendim tjetër të Gjykatës kompetente.

E gjithë kjo për qëllim të sigurojë administrimin e rregullt dhe të ligjshëm të pasurive të sekuestruara, si dhe ruajtjen e tyre në përputhje me interesin publik dhe ligjin.

Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjit, duke vepruar në pajtim me vendimet gjyqësore dhe standardet më të larta të administrimit publik.

AAPSK-ja dhe GIZ vazhdojnë bashkëpunimin ne procesin e hartimit te Procedurave Standarde të Operimit

Prishtinë, 09 shtator 2025 –U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, z. Alban Sutaj, mirëpriti ne takim përfaqësuesit e GIZ-it gjerman znj.  Bleta Kallaba  dhe prof. Elton Tota ekspert i angazhuar nga GiZ në procesin e rishikimit dhe përditësimit të Procedurave Standarde të Operimit të Agjencisë.

Ky angazhim realizohet falë mbështetjes financiare dhe profesionale të GIZ – Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e cila ka kontribuar në angazhimin e ekspertit.

Në vijim të këtij angazhimi, dhe pas diskutimeve të zhvilluara me ekspertin, është vendosur organizimi takimeve të përbashkët për koordinimin e mëtejshëm të hapave në këtë proces.

Agjencia falënderon GIZ-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithë palët e përfshira për angazhimin dhe bashkëpunimin në përmirësimin e procedurave tona.