
AAPSK pjesëmarrëse në punëtorinë mbi funksionalitetin dhe efikasitetin e Zyrës për Rikthimin e Aseteve (ZRA)
Prishtinë, 8 korrik 2025 – Nën udhëheqjen e prokurorit të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, z. Bahri Hyseni, dhe me pjesëmarrjen e U. d. Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, u mbajt punëtoria ndërinstitucionale mbi modalitetet e funksionalitetit dhe efikasitetit të Zyrës për Rikthimin e Aseteve (ZRA), me mbështetjen e projektit “Luftimi i Flukseve të Paligjshme Financiare në Kosovë”, të zbatuar nga GIZ.
Në këtë punëtori mori pjesë edhe U. d. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), z. Alban Sutaj, së bashku me përfaqësues të institucioneve kyçe të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Gjatë diskutimeve u trajtuan tema kyçe që lidhen me forcimin e mekanizmave institucionalë që lidhen me reformën e sistemit kombëtar për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (AML/CFT), si një prej parakushteve për përmbushjen e Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe çështje që kanë të bëjnë me infrastrukturën ligjore për funksionalizimin e plotë dhe efikas të Zyrës për Rikthimin e Aseteve, me synim forcimin e mekanizmave institucionalë në luftën kundër krimeve financiare.
Angazhimi i përbashkët institucional mbetet kyç për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve evropiane në këtë fushë.