U.D. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së takon Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit

Prishtinë, 27 tetor 2025 – U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për  Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), z. Alban Sutaj, zhvilloi një takim pune me Kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, z. Agron Bajrami.

Gjatë takimit u zhvillua një bisedë e frytshme dhe konstruktive mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e menaxhimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, me theks të veçantë në procesin e shitjes së pasurive të sekuestruara, për të garantuar ruajtjen e vlerës së tyre deri në përfundim të procedurave gjyqësore.

Z. Sutaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me organet e drejtësisë dhe theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm institucional për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në administrimin e pasurive që i nënshtrohen masave të sekuestrimit apo konfiskimit.

Në përfundim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm falënderoi z. Bajrami për pritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë për bashkëpunim në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe menaxhimit të drejtë të pasurisë së sekuestruar e të konfiskuar.