
Mbahet takimi i parë njoftues i Grupit Punues për hartimin e Koncept Dokumentit për fushën e rikthimit të pasurisë
Prishtinë, 18 Korrik 2025 – Sot, në kuadër të zbatimit të Planit Kombëtar për Zhvillim 2025-27, Ministria e Drejtësisë organizoi takimin e parë njoftues të Grupit Punues për hartimin e Koncept Dokumentit për fushën e rikthimit të pasurisë. Gjatë këtij takimi, kryesuesja e grupit punues, znj. Elezaj, informoi anëtarët e grupit mbi strukturën e parashikuar në Udhëzuesin për hartimin e Koncept Dokumenteve dhe procesin e planifikimit të punës për periudhën në vijim. Në takim mori pjesë edhe U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, z. Alban Sutaj.
Qëllimi kryesor i këtij koncept dokumenti është avancimi i kornizës ligjore për rikthimin e aseteve të përfituara në mënyrë të paligjshme, duke u bazuar në standardet dhe kërkesat e përcaktuara nga Direktiva (BE) 2014/42 dhe Direktiva (BE) 2024/1260 për ngrirjen dhe konfiskimin e aseteve në kuadër të procedurave penale. Ky dokument synon të forcojë kapacitetet institucionale të Zyrës për Rikthimin e Aseteve, përmes qartësimit të mandatit, zgjerimit të kompetencave dhe përmirësimit të mekanizmave të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Në këtë takim morën pjesë anëtarët e grupit punues, përfaqësuesit nga Prokuroria, Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana, Njësia e Inteligjencës Financiare, Policia, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Zyra e Kryeministrit, UNDP, si dhe institucione të tjera përkatëse. Gjatë diskutimeve, u theksuan disa nga sfidat dhe problemet që po përballen këto institucione, si dhe u nënvizua rëndësia e adresimit të këtyre çështjeve përmes koncept dokumentit.