
Kosova dhe Shqipëria forcojnë bashkëpunimin në administrim të pasurive me theks te veçante në ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara
Tiranë, 3 qershor 2025
Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit rajonal, një delegacion i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga ud Drejtori i Përgjithshëm, z. Alban Sutaj, realizoi një vizitë dy-ditore në Shqipëri me ftesë të Kryeadministratores se AAPSK-së së Shqipërisë, znj. Risena Xhaja.
Gjatë takimeve, palët shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira në administrimin e pasurive me burim të paligjshëm, me fokus në:
- Standartizimin e procedurave;
- Rritjen e transparencës dhe efikasitetit;
- Ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara.
Delegacioni vizitoi një ndërmarrje sociale në Elbasan, të ngritur mbi një pasuri të konfiskuar, e cila funksionon si qendër përfshirjeje për komunitetin – një model frymëzues për nisma të ngjashme në Kosovë.
Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së, z. Alban Sutaj, theksoi rëndësinë e ndërtimit të strukturave të qëndrueshme dhe shprehu përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë me agjencinë shqiptare. Nga ana e saj, Kryeadministratorja e AAPSK-së së Shqipërisë, znj. Risena Xhaja, u shpreh:
“Kjo vizitë është dëshmi e qartë se besimi dhe vullneti për të bashkëpunuar në mënyrë institucionale përtej kufijve po jep fryte konkrete. AAPSK është e angazhuar për të thelluar më tej bashkëpunimin rajonal dhe për të përfituar nga praktikat më të mira evropiane. Kemi rënë dakord me AAPSK-në e Kosovës për të nënshkruar së shpejti një marrëveshje të re bashkëpunimi. Rasti i sipërmarrjes sociale në Elbasan tregon se pasuritë e konfiskuara mund të kthehen në motor zhvillimi dhe përfshirjeje për grupet në nevojë.”
Palët u angazhuan për të avancuar drejt një bashkëpunimi të qëndrueshëm në fusha me interes të përbashkët dhe për të ndërtuar një model të integruar rajonal në administrimin e pasurive me origjinë kriminale.