Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruara dhe të Konfiskuara pjesmarrëse në Workshopin Rajonal të BAMIN@GIZ

Përfaqësues të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruara dhe të Konfiskuara morën pjesë në punëtorinë dyditore rajonale “Forcimi i praktikave të menaxhimit të pronave në Ballkanin Perëndimor: Planifikimi për menaxhimin efektiv të pasurive – konsiderata para sekuestrimit”, e organizuar në kuadër të projektit të BE-së EU4FAST, në bashkëpunim me Rrjetin Ndër-Agjencor Ballkanik për Menaxhimin e Pasurive (BAMIN).

Punëtoria mblodhi përfaqësues nga zyrat e menaxhimit të pasurive, prokuroritë, agjencitë hetimore dhe autoritetet e sekuestrimit nga i gjithë rajoni, me qëllim avancimin e praktikave të planifikimit para sekuestrimit – një fazë thelbësore për sekuestrimin e suksesshëm dhe menaxhimin efektiv të pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara. Pjesëmarrësit shqyrtuan sfidat në këtë fushë dhe mundësitë e përafrimit me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë direktivat e BE-së dhe rekomandimet e FATF-së.

Diskutimet u fokusuan në: identifikimin e sfidave në planifikimin para sekuestrimit; zhvillimin e strategjive kombëtare dhe rajonale, si dhe hapat e ardhshëm praktikë për organet ligjzbatuese.

Rezultatet e pritshme përfshijnë rritjen e qartësisë mbi rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve, hartimin e protokolleve ndër-agjenci, si dhe rekomandime për reforma ligjore, rregullatore dhe procedurale.

U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj, mbajti një prezantim me temën “Sfidat në rastin e planifikimit para sekuestrimit”, duke theksuar rëndësinë e qasjes së hershme dhe strategjike për të shmangur pengesat në procesin e planifikimit dhe menaxhimit të mëvonshëm të pasurive. Ai nënvizoi se mungesa e planifikimit adekuat mund të sjellë vështirësi serioze në administrimin e pasurive dhe të reduktojë efektivitetin në luftën kundër krimit të organizuar.

Pjesëmarrja e AAPSK-së në këtë aktivitet dëshmon vendosmërinë për të forcuar kapacitetet në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, si dhe kontributin në përpjekjet e përbashkëta rajonale për ndërtimin e një sistemi më efikas dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të pasurive.