AAPSK miraton Planin Strategjik për periudhën 2026–2028

U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), z. Alban Sutaj, ka miratuar Planin Strategjik për periudhën 2026–2028, dokument i cili synon fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e proceseve të administrimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar në Republikën e Kosovës.

Ky dokument strategjik paraqet drejtimet kryesore të zhvillimit të Agjencisë për tre vitet e ardhshme dhe synon përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe profesionalizmit në administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Plani Strategjik është hartuar në konsultim me stafin drejtues të Agjencisë dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përkatësisht të projektit të mbështetur nga GIZ-i gjerman.

Me këtë rast, z. Sutaj shpreh mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht për kontributin e GIZ-it, ekspertes së angazhuar në kuadër të këtij projekti, si dhe të grupit punues që kanë kontribuar në hartimin e këtij dokumenti strategjik.