
AAPSK merr pjesë në takimin e përbashkët të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial për menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara
Prishtinë, 05 qershor 2025 – Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), z. Alban Sutaj, mori pjesë në takimin e përbashkët të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku u diskutua tema: “Menaxhimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”.
Fjalimet hyrëse në këtë takim u mbajtën nga z. Fejzullah Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe z. Besim Kelmendi, Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Të dy theksuan rëndësinë e një menaxhimi të drejtë dhe transparent të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke theksuar se efikasiteti në këtë fushë nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe një faktor kyç për rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Gjatë takimit, për rolin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në menaxhimin e këtyre pasurive folën edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, dhe z. Ardian Hajdaraj, në cilësinë e Kryesuesi te Këshillit Prokurorial.
Z. Alban Sutaj, në cilësinë e U.D. Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-së, bëri një prezantim për sfidat me të cilat përballet Agjencia në Administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Po ashtu, një prezantim mbi këtë temë e mbajti edhe Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, prokurori Kujtim Munishi.
Diskutimi përfshiu çështje të rëndësishme si:
- Masat e propozuara për pasuritë e sekuestruara dhe procesi i miratimit apo refuzimit të tyre;
- Ndikimi i shitjes së aseteve të sekuestruara në rritjen e vlerës së tyre;
- Zbatimi praktik i dispozitave ligjore për sekuestrimin e telefonave dhe përdorimin e tyre si provë;
- Nevoja për nxjerrjen e udhëzimeve interpretative nga Gjykata Supreme.
Ky takim konfirmoi përkushtimin institucional për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet agjencive të drejtësisë me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftimin e krimit dhe menaxhimin transparent të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara.