AAPSK e Kosovës dhe AAPSK e Shqipërisë nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim institucional

Prishtinë, 11 shkurt 2026- Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) e Republikës së Kosovës dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Memorandumi është nënshkruar gjatë takimit zyrtare të mbajtura në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë – AAPSK në Prishtinë, të udhëhequr nga u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së së Kosovës, z. Alban Sutaj, i cili priti Kryeadministratoren e AAPSK-së së Shqipërisë, znj. Risena Xhaja, me delegacionin përkatës.

Gjatë takimeve u diskutua korniza ligjore për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, praktikat aktuale të administrimit, sfidat institucionale, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit teknik dhe profesional ndërmjet dy agjencive.

Me këtë rast, u.d. Drejtori i Përgjithshëm i AAPSK-së së Kosovës, z. Alban Sutaj, theksoi: “Nënshkrimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe harmonizimit të praktikave në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale.”

AAPSK e Kosovës vlerëson këtë Memorandum si një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim afatgjatë dhe zhvillim të mëtejmë të kapaciteteve profesionale në funksion të sundimit të ligjit.