Delegacioni i Republikës së Kosovës merr pjesë në aktivitetet rajonale për konfiskimin e pasurisë së paligjshme në Bosnje dhe Hercegovinë
Neum, 24–26 mars 2026 – Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Udhëheqësi i Zyrës për Rikthim të Aseteve, z. Bahri Hyseni,dhe i përbërë nga z. Sami Istrefi, Drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe U.D Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-së, z. Alban Sutaj, mori pjesë në një sërë aktivitetesh rajonale në fushën e konfiskimit të përfitimeve pasurore dhe menaxhimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, të mbajtura në Bosnje dhe Hercegovinë.
Pjesë e delegacionit ishin gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve ligjzbatuese nga Policia e Kosovës, Shukri Rafuna dhe Burim Bazaj.
Gjatë qëndrimit në Neum, delegacioni i Kosovës mori pjesë në ceremoninë zyrtare të prezantimit të Strategjisë për konfiskimin e përfitimeve pasurore 2025–2031, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në kuadër të agjendës, delegacioni zhvilloi gjithashtu një takim pune me përfaqësues të FAZUOI dhe Zyrës për Rikthim të Aseteve, ku u prezantuan praktikat dhe përvojat më të mira në hartimin e strategjive, menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, si dhe përdorimin e sistemeve digjitale. Në këtë takim, përfaqësuesit e Zyrës për Rikthim të Aseteve të Kosovës prezantuan zhvillimet dhe progresin e arritur në Republikën e Kosovës në këtë fushë.
Pjesëmarrja në këto aktivitete përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe fuqizimit të mekanizmave për luftimin e kriminalitetit, me synim rritjen e efikasitetit në identifikimin, sekuestrimin, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.
Delegacioni i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të procesit të integrimit evropian.



