AAPSK merr mbështetje nga GIZ-i gjerman për hartimin e Planit Zhvillimor Strategjik 2026–2028

Prishtinë, 29 janar 2026 – Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), z. Alban Sutaj, zhvilloi një takim online me znj. Jill Thomas, eksperte e angazhuar nga GIZ-i gjerman për mbështetjen e procesit të hartimit të Planit Zhvillimor Strategjik të AAPSK-së.

Në takim morën pjesë edhe znj. Monika Nastovska, këshilltare nga projekti “Luftimi i Flukseve Financiare të Paligjshme”, si dhe znj. Dorina Kurhasani dhe znj. Bleta Kallaba, po ashtu përfaqësuese të GIZ-it. Gjatë takimit u diskutuan modalitetet dhe hapat konkretë për zhvillimin e Planit Zhvillimor Strategjik të AAPSK-së për periudhën 2026–2028.

Z. Sutaj prezantoi detyrat dhe përgjegjësitë e AAPSK-së, si dhe vizionin strategjik të Agjencisë, me fokus në administrimin sa më efikas, transparent dhe të qëndrueshëm të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Ai falënderoi GIZ-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj AAPSK-së, duke theksuar rëndësinë e kësaj bashkëpunimi për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e objektivave strategjike të Agjencisë.