Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet AAPSK-së dhe ARBK-së
Prishtinë, 5 nëntor 2025 – Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK) dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së ndërsjellë në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese të të dy institucioneve.
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-së, z. Alban Sutaj, u prit në takim pune nga Ushtruesja e Detyrës së Drejtoreshës Ekzekutive të ARBK-së, znj. Igballe Rexha-Jashari, ku edhe u nënshkrua ky memorandum bashkëpunimi.
Ky memorandum synon të krijojë një kornizë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet dy agjencive, për të lehtësuar shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave të nevojshme, si dhe për të rritur efikasitetin në realizimin e objektivave të përbashkëta institucionale.
Përmes këtij dokumenti, AAPSK synon të përforcojë kapacitetet e saj institucionale dhe të avancojë proceset e administrimit dhe menaxhimit të pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, në përputhje me mandatin dhe misionin e saj ligjor.
Ky memorandum është arritur mbi bazën e nevojës për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve përgjegjëse, me qëllim të përmbushjes sa më efektive të detyrimeve ligjore dhe për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.



