Prokuroria Speciale dhe AAPSK-ja diskutojnë menaxhimin e pasurive të sekuestruara dhe aseteve digjitale

Prishtinë, 4 nëntor 2025 – U.D. Drejtorit i Përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, z. Alban Sutaj, u prit të martën në një takim pune nga Koordinatori për Krime Kibernetike në Prokurorinë Speciale, prokurori special z. Halil Borovci.

Tema e diskutimit ishte trajtimi dhe menaxhimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, me theks të veçantë në administrimin e aseteve digjitale.

Gjatë takimit u vlerësua se është thelbësore të adresohen mungesat ligjore dhe teknike që lidhen me menaxhimin e aseteve digjitale, me qëllim të rritjes së efikasitetit institucional.

Z. Sutaj dhe z. Borovci theksuan nevojën për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e menaxhimit të këtyre pasurive, sidomos atyre digjitale, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe për angazhim të përbashkët.