Forcimi i bashkëpunimit mes AAPSK-së dhe Ambasadës Britanike në Prishtinë

Prishtinë, 3 nëntor 2025 – Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar (AAPSK), z. Alban Sutaj me bashkëpunëtor, priti në takim përfaqësuesit e Ambasadës Britanike në Prishtinë: znj. Altina Besimi, z. Alan Edwards dhe z. Blend Zyrapi.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në avancimin e praktikave ligjore dhe forcimin e mekanizmave të drejtësisë në Kosovë. Palët u fokusuan në zhvillimin e një bashkëpunimi të ngushtë dhe efektiv ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit, me qëllim të krijimit të një modeli të suksesshëm që do të përmirësojë procedurat ligjore dhe do të kontribuojë në forcimin e sistemit të drejtësisë.

Në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe çështje që lidhen me menaxhimin e pasurive të bizneseve dhe aseteve digjitale (crypto-assets), si fusha me rëndësi në zhvillimin e mëtejshëm të praktikave moderne të administrimit të pasurisë së sekuestruar.

Z. Sutaj shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Ambasada Britanike i ofron AAPSK-së, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe në avancimin e standardeve ligjore në Kosovë.

Në përfundim, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe realizimin e objektivave të përbashkëta në shërbim të një sistemi të drejtë dhe transparent.