Agjencia merr pjesë në punëtorinë për hartimin e Koncept Dokumentit për rikthimin e pasurisë

Me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Ministria e Drejtësisë ka organizuar punëtorinë e parë të Grupit Punues për hartimin e Koncept Dokumentit për fushën e rikthimit të pasurisë.

Në hapje të punëtorisë, fjalë rasti mbajti U.D. Ministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, i cili theksoi se ky proces është pjesë e reformave gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe dëshmi e vendosmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës për forcimin e mekanizmave kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit vendor me direktivat e Bashkimit Evropian, duke theksuar se rikthimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme mbetet një ndër shtyllat kryesore të luftës kundër krimit.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, i cili theksoi rolin e sistemit prokurorial në këtë proces dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për zbatim sa më efikas të ligjit.

Ky proces pritet të fuqizojë kapacitetet e institucioneve përgjegjëse përmes qartësimit të mandatit dhe zgjerimit të kompetencave të Zyrës për Rikthimin e Aseteve, si dhe përmes përforcimit të bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar në këtë fushë.

Në këtë punëtori mori pjesë edhe u.d Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Alban Sutaj.

Në punëtorinë dy ditore kishte diskutime të detajuara mes përfaqësuesve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, me qëllim të finalizimit të një dokumenti gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.