Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-së zhvilloi takim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, me fokus menaxhimin e pasurive

Prishtinë, 22 maj 2025 – UD i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), z. Alban Sutaj, u takua me Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi. Në takim morën pjesë edhe Shefi i Sektorit kundër Krimit të Organizuar pranë Departamentit për Rend dhe Siguri Publike të Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Giovannio Di Persio, si dhe z. Senad Shajkovci, asistent i programit në atë sektor.

Gjatë këtij takimi u diskutua rreth ngrirjes, sekuestrimit, konfiskimit dhe rikthimit të aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara, me fokus të veçantë në ngrirjen e pasurisë së fituar me vepër penale, si dhe mundësitë për shitjen apo shfrytëzimin e kësaj pasurie në përputhje me dispozitat ligjore.

Zyrtarët e OSBE-së ofruan mbështetjen e tyre për organizimin e punëtorive dhe aktiviteteve të tjera që kanë për qëllim të ndihmojnë prokurorët dhe zyrtaret e Agjencise në zbatimin sa më të mirë të dispozitave ligjore, në mënyrë që të parandalohen dëmtimet e buxhetit të shtetit dhe të palëve në procedurë penale.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, falënderoi mysafirët dhe u zotua se do të vazhdojë bashkëpunimin në funksion të zbatimit sa më efektiv dhe të drejtë të dispozitave ligjore, në lidhje me ngrirjen, sekuestrimin, konfiskimin dhe rikthimin e aseteve të fituara me vepër penale.